LAJME

Kurti priti në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë: Shtet mik dhe partner i rëndësishëm

Kurti priti në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë: Shtet mik dhe partner i rëndësishëm
TV Prizreni
TV Prizreni
24 Shkurt 2026, 12:30

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim ambasadoren jorezidente të Kanadasë për Kosovë, Jessica Blitt. Ky ishte takimi i parë ndërmjet tyre në mandatin e ri qeverisës.

Zyra e Kryeministrit njofton se ambasadorja Blitt e uroi Kurtin për mandatin e ri, duke riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë për Kosovën.

Tutje thuhet se kryeministri e falënderoi ambasadoren Blitt për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve në fusha të ndryshme, përfshirë mbrojtjen, ku pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po trajnohen në akademitë ushtarake të trajnimit në Kanada.

Siç bëhet e ditur në njoftim, ai theksoi gjithashtu prioritetet e qeverisë për investime strategjike infrastrukturore, duke përfshirë digat, stadiumet, hekurudhat, energjinë dhe minierat, si dhe rritjen e investimeve në mbrojtje.

Zyra e Kryeministrit bën të ditur tutje se Kurti e falënderoi ambasadoren edhe për mbështetjen e Kanadasë ndaj pjesëmarrjes së Kosovës në Konventën e Shoqatës së Kërkuesve dhe Zhvilluesve të Kanadasë (PDAC), që do të mbahet në Toronto më 1–4 mars.

“Anëtare e G7 dhe e NATO-s, Kanadaja është shtet mik dhe partner i rëndësishëm në mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të përbashkëta. Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të punojë për zgjerimin dhe thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy vendeve tona” – thuhet në njoftim.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika