Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim deputetin e ardhshëm zviceran me origjinë shqiptare, Arbër Bullakaj, i cili pritet të nisë mandatin në fund të këtij muaji.
Kryeministri Kurti e falënderoi Bullakajn për vizitën dhe e uroi për zgjedhjen deputet në parlamentin federal të Zvicrës, duke u bërë vetëm personi i dytë me rrënjë nga Kosova, pas deputetit Islam Alijaj, që fiton mandatin në këtë institucion.
“Me origjinë nga Suhareka, i zhvendosur në Zvicër në vitet e ’90-ta, Arbër Bullakaj është aktiv në politikën zvicerane për më shumë se 20 vjet. Ai është anëtar këshillit federal të Partisë Socialdemokrate (SP), president i SP Migrante në kantonin e St. Gallen dhe kryetar i Komitetit të Iniciativës Demokratike për reformën e shtetësisë zvicerane. Kjo iniciativë, e cila mblodhi më shumë se 100 mijë nënshkrime të vlefshme dhe iu dorëzua parlamentit në nëntor të vitit 2024, kërkon lehtësime në procesin e fitimit të shtetësisë zvicerane” – shkruan Zyra e Kryeministrit.
Siç bëhet e ditur, në takim u diskutua për integrimin dhe sukseset e mërgatës në Zvicër, si dhe për kontributin e çmuar dhe rolin e tyre në zhvillimin e Kosovës.
Sipas njoftimit, në kontekst të angazhimit politik, të dy diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit konkret, përfshirë avokimin për Kosovën dhe krijimin e urave lidhëse kulturore, politike si dhe ekonomike.