Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kolegë nga kabineti qeveritar priti në takim delegacionin e prirë nga kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, admirali Giuseppe Cavo Dragone, dhe kreu i Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, gjenerali Sean Clancy.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit, Kurti shprehu falënderimin për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për paqe, stabilitet dhe parandalim në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa tha se roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit.





