PRIZRENI ME RAJON

Kurti premton pagë mesatare mbi 1 mijë euro dhe dyfishim të shtesave për fëmijë

Kurti premton pagë mesatare mbi 1 mijë euro dhe dyfishim të shtesave për fëmijë
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Shtator 2026, 13:36

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit të programit të qeverisë së re, ka paralajmëruar rritjen e pagës mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro në muaj, dyfishimin e shtesave për fëmijë, si dhe një program prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri.

Kurti tha se nuk do të ketë një ekspoze të re, pasi, sipas tij, zgjedhjet e përsëritura vetëm e kanë ndërprerë qeverisjen e njëjtë.

“Të nderuar deputetë, nuk do të kem ekspoze të re realisht, ngaqë këtu zgjedhjet e përsëritura vetëm se na e kanë ndërprerë qeverisjen e njëjtë. Andaj do të përpiqem të jem më i shkurtër dhe të prezantoj kabinetin e ri qeverisës”, tha ai.

Kurti tha se vizioni i qeverisjes së tij është “punë për qytetarin dhe mbrojtje për familjen”.

“Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën. Investimet tona krijojnë shtet e qytetarë të sigurt dhe shoqëri e familje të begatë”, tha Kurti.

Kurti: Paga mesatare në sektorin publik mbi 1 mijë euro

Kurti tha se në pesë vitet e fundit Kosova ka pasur rritje mesatare ekonomike prej 6 për qind, ndërsa në çerekun e parë të këtij viti, sipas tij, rritja ishte 5.4 për qind.

Ai tha se bruto produkti vendor, nga rreth 7 miliardë euro, ka arritur në 11 miliardë euro, ndërsa për këtë vit projektohet të arrijë në 12 miliardë euro.

Sa i përket punësimit, Kurti tha se numri i të punësuarve është rritur nga 350 mijë në 430 mijë.

Ai tha se pagat në sektorin publik gjatë mandatit që po përmbyllet kanë shënuar rritje mesatare prej 47 për qind.

“Kjo rritje do të vazhdojë edhe në mandatin që vjen, në përputhje me rritjen e buxhetit dhe performancën ekonomike, duke e ngritur pagën mesatare në sektorin publik mbi 1,000 euro në muaj”, tha Kurti.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika