Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar urime për rizgjedhjen në krye të ekzekutivit kosovar nga qeveria e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Në letra të veçanta, ata i kanë uruar punë të mbarë Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës.
“Në emër të Qeverisë së Malit të Zi dhe në emrin tim personal, ju shpreh urimet e mia të sinqerta me rastin e formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës dhe rizgjedhjes suaj në detyrën e Kryeministrit” – thuhet në deklaratën e kryeministrit malazez, Milojko Spajiq.
“Mali i Zi dhe Kosova kultivojnë marrëdhënie të mira dhe miqësore dhe jam i bindur se në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë t’i avancojmë edhe më tej ato përmes intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, integrimit evropian dhe ndërlidhjes ekonomike” – ka deklaruar tutje ai.
Kurti pranoi urime edhe nga kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski.
“Me rastin e rizgjedhjes suaj si Kryeministër i Republikës së Kosovës, në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe në emrin tim personal, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia të sinqerta dhe dëshirat më të mira për një mandat të suksesshëm, si dhe për përparimin e vendit tuaj dhe mirëqenien e qytetarëve të tij” – thuhet në letrën e dërguar nga Hristijan Mickoski në adresë të kryeministrit Kurti.
“Jam i bindur se, në periudhën që na pret, do të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie edhe më produktive ndërmjet dy vendeve tona, përmes një dialogu të hapur politik dhe formave konkrete të bashkëpunimit. Interesat tona të përbashkëta në fushat e ekonomisë, ndërlidhjes infrastrukturore, sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal krijojnë mundësi të rëndësishme për avancimin e mëtejshëm të partneritetit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës” – thuhet tutje në deklaratë.
Shefi i qeverisë kosovare ka pranuar urime edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Ambasadori gjerman theksoi se Kosova dhe Gjermania janë të lidhura me marrëdhënie të ngushta dhe afatgjata. Në letrën e tij, Rudolph përmendi edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
“Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 2008, partneriteti ynë është zhvilluar vazhdimisht. Gjermania e vlerëson shumë Kosovën si një partner të rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe mbetet e përkushtuar për të mbështetur stabilitetin, reformat dhe një të ardhme evropiane për rajonin” – thuhet në urimin e ambasadorit gjerman.
“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i udhëhequr nga BE-ja, mbetet thelbësor për stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Prandaj, shpresoj që ju dhe qeveria juaj të angazhoheni për rifillimin e shpejtë të tij dhe të punoni drejt marrëveshjeve praktike, të respektueshme reciprokisht dhe të qëndrueshme, pasi përparimi në këtë drejtim do të jetë i rëndësishëm për avancimin e mëtejshëm të perspektivës evropiane të Kosovës” – thuhet në urimin e Rainer Rudolph.
Kurti është rizgjedhur kryeministër për herën e katërt më 13 shtator.
Kjo përmbajtje ofrohet nga Facebook. Duke e ngarkuar, pranoni që Facebook të vendosë cookies.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.