Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar Policinë e Kosovës, për angazhimin gjatë 13 ditëve në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.
Kurti këtë e ka thënë gjatë takim bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ku pritën stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës, në krye me Drejtorin e Përgjithshëm, Samedin Mehmetin – pas realizimit me sukses të planifikimeve operacionale dhe zbatimit të vendimeve të institucioneve të Republikës së Kosovës, e në veçanti për angazhimet në pjesën veriore.
Kurti u shprehu mirënjohje të gjithë punonjësve të Policisë së Kosovës, të cilët me angazhimet e tyre për 13 ditë me radhë treguan sjellje profesionale, përkushtim të pashoq për mbrojtjen e vendkalimeve dhe policëve kufitarë që po zbatojnë reciprocitetin e targave të automjeteve, si dhe dëshmuan se Policia e Kosovës është e ndërtuar sipas standardeve evropiane, në shërbim të vendit dhe qytetarëve të saj.
“Me këtë vetëmohim e qëndrim profesional në çdo veprim të çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, u vërtetua se ndër objektivat kyçe të Policisë së Kosovës mbetet zbatimi i ligjit, ruajtja e rendit e qetësisë publike dhe lëvizjes së lirë, duke garantuar kufij të hapur, mirë të kontrolluar dhe të sigurtë”, tha Kurti.
“Ai e vlerësoi lartë punën, angazhimin dhe përkushtimin maksimal, sidomos të Njësisë Speciale të Kosovës, e cila me sjelljen e dinjitetshme përkundër provokimeve të lloj-llojshme, dëshmoi se është profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim” thuhet në kumtesën e Zyres së Kryeministrit.