Home LAJME Kurti: Plot 30 javë nga sulmi në Banjskë dhe s’ka aktakuzë ndaj Radoiçiqit

Kurti: Plot 30 javë nga sulmi në Banjskë dhe s’ka aktakuzë ndaj Radoiçiqit

0
Kurti: Plot 30 javë nga sulmi në Banjskë dhe s’ka aktakuzë ndaj Radoiçiqit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se edhe pas 30 javësh që kur Milan Radoiçiqi ka marrë pjesë në sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri afrim Bunjaku, nuk ka ende aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit për të.

Sipas Kurtit, mungesa e aktakuzës ndaj tij do të duhej të problematizohej qysh në fillim.

“Sot po hymë në javën e 30-të prej kur kryekrimineli Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar, ende nuk ka aktakuzë nga Prokuroria e Shtetit për sulmin terrorist në të cilin u vra rreshteri Afrim Bunjaku, sulm terrorist për të cilin ai pranoi publikisht pjesëmarrjen dhe autorësinë. Edhe java e tretë po të ishte pa aktakuzë do të duhej të problematizohej, lëre më java e 30 në të cilën hyjmë sot”, ka thënë Kurti të dielën në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ai ka thënë se raporti i Dora Bakoyannisit rekomandon anëtarësimin e plotë të Kosovës dhe pa asnjë kusht shtesë dhe pa fusnotë.

“Sot gjendemi në një situatë shumë më të favorshme. Raporti dhe opinioni i znj.Bakojanis njeh plotësimin e të gjitha parakushteve dhe qartë tregon se zotimet e tjera të Kosovës duhet të përmbushen pas anëtarësimit. Më 16 prill do ta kemi votimin më të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në KiE. Asambleja Parlamentare pritet ta miratojë opinionin e znj.Bakojanis, i cili rekomandon anëtarësimin e plotë të Kosovës pa asnjë parakusht shtesë dhe pa fusnotë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri më tej ka bërë thirrje për diasporën që të dalin në zgjedhjet e 9 qershorit në BE.

“Më 9 qershor është një datë e rëndësishme për Bashkimin Evropian dhe mund të themi për gjithë Evropën. Që nga zgjedhjet e para të Parlamentit Evropian më 1979  kurrë s’ka qenë Evropa më e kërcënuar se ç’ka qenë sot. BE-ja gjithashtu gjendet para zgjedhjeve dhe vendimeve të mëdha, përball agresionit ushtarak dhe fashizmit të diktaturës ruse. Kjo e fundit siç dihet i ka aleatët e vet brenda Evropës. Siç u angazhova në partinë e socialistëve evropianë, anëtarët e lëvizjes sonë në diasporë duhet të dalin në zgjedhje e të nxisin edhe miqtë e dashamirët e tyre. Zgjedhjet evropiane janë një çikë të nënvlerësuara padrejtësisht. E nënvlerësimi mund të jetë fatal. I bëj thirrje ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit. E ftoj diasporën që t’i votojë socialdemokratët e qendrën e majtë si të vetmit që kundërshtojnë ekstremizmat në Evropë”, ka theksuar ai./KOHA/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here