Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 37-vjetorin e grevës së minatorëve të Trepçës, duke e cilësuar atë si një nga aktet më të rëndësishme të rezistencës politike në historinë moderne të vendit.
Në një mesazh përkujtimor, Kurti rikujtoi se më 20 shkurt 1989, rreth orës 13:00, minatorët e ndërrimit të katërt në Stantërg refuzuan të dilnin nga miniera, duke hyrë në grevë urie me thirrjen “Kosova Republikë”. Sipas tij, atyre iu bashkuan edhe minatorët e tre ndërrimeve të tjera, duke e çuar numrin e grevistëve në rreth 1300.
Kryeministri theksoi se minatorët ishin të shqetësuar për fatin politik të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe për cenimin e statusit të Kosovës si krahinë autonome. Greva, e cila zgjati nga 20 deri më 28 shkurt 1989, u shoqërua me dhjetë kërkesa, ndër to edhe kërkesa që çështja e shqiptarëve të shqyrtohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Në reagimin e tij, Kurti rikujtoi gjithashtu se organizimi i minatorëve kishte nisur edhe më herët. Ai përmendi marshimin e 17 nëntorit 1988 nga Stantërgu drejt Prishtinës, si dhe parullat “Kosova Republikë” dhe “Trepça është e jona”, të shkruara në vitin 1983 nga minatorët Xhavit Bajraktari dhe Shyqri Miftari.
Sipas kryeministrit, Komiteti Krahinor i Kosovës nuk iu përgjigj kërkesave të minatorëve dhe përdori manovra për t’i dhënë fund grevës. Më 1 mars 1989, minatorët dolën nga zgafellat, miniera u mbyll, ndërsa 15 prej tyre u arrestuan dhe u dënuan me nga 14 muaj burgim. Tri javë më vonë, më 23 mars 1989, Serbia suprimoi autonominë e Kosovës.
Kurti e cilësoi grevën e minatorëve të Trepçës si aktin e parë të gjerë rezistues që hapi një periudhë të re historike, e cila kulmoi me çlirimin e Kosovës në qershor 1999. Ai theksoi se kujtimi i kësaj ngjarjeje mbetet i rëndësishëm për të gjitha brezat, pasi, sipas tij, e kaluara dhe historia janë themeli i Republikës së Kosovës.