LAJME

Kurti për presidentin: Këto piskama nuk po na bëjnë dëm neve, por shtetit

Kurti për presidentin: Këto piskama nuk po na bëjnë dëm neve, por shtetit
TV Prizreni
TV Prizreni
22 Prill 2026, 09:23

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se tensionet dhe kritikat nga opozita lidhur me çështjen e presidentit nuk po e dëmtojnë Lëvizjen Vetëvendosje, por vetë shtetin e Kosovës.

Duke folur nga Klinika e Kardiologjisë të mërkurën, Kurti paralajmëroi për koston e mundshme nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, duke thënë se ato do t’i kushtonin buxhetit të shtetit së paku 10 milionë euro, ndërsa humbjet e përgjithshme do të arrinin në dhjetëra milionë euro.

Ai theksoi nevojën për marrëveshje politike, duke shtuar se ka bërë përpjekje konkrete për bashkëpunim me partitë opozitare. Sipas tij, LDK është takuar dhe ka marrë dy oferta – një për bashkëqeverisje dhe një tjetër për rrokadë në Kryesinë e Kuvendit – ndërsa PDK ka refuzuar takimin dhe ofertat.

“Nëse shkojmë në zgjedhje të reja nuk do të kemi zgjidhje. Nuk e di si mund t’i kemi 80 deputetë. Është e domosdoshme të merremi vesh. Nuk po më duken (opozita) të gatshëm dhe të interesuar për marrëveshje, dhe ky është një dëm i madh për shtetin e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Duke komentuar kritikat ndaj partisë së tij, ai ka thënë se “zhurmat dhe piskamat” me ankesa të paarsyeshme nuk po e dëmtojnë Vetëvendosjen, por institucionet e vendit.

Kurti përmendi edhe çështjen e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke kujtuar kritikat e mëhershme ndaj saj dhe duke theksuar se ato, sipas tij, kanë rezultuar të pabazuara.

“Tema kryesore para një viti ka qenë qysh nuk bën Albulena Haxhiu të bëhet kryetare e Kuvendit sepse është konfliktuoze, përçarëse dhe është aq e rrezikshme saqë do të dëmtohet pakthyeshëm funksionimi i institucioneve. E patën linçuar dhe stigmatizuar gruan më të votuar të legjislaturës së nëntë. Ku jemi sot? Albulena Haxhiu është kryetare e Kuvendit, ajo është edhe u.d e presidentes, ajo s’është as konfliktueze dhe as përçarëse. Prandaj, të gjitha këto zhurma dhe piskama që i dëgjoni me ankesa të paarsyeshme ndaj Lëvizjes Vetëvendosje nuk po na bëjnë dëm neve, po i bëjnë dëm shtetit, jo neve”, shtoi ai.

Pesë ditë kanë mbetur deri te përfundimi i afatit të Gjykatës Kushtetuese për të zgjedhur presidentin e vendit./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika