Kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Jeton Raka, ka vizituar sot familjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika, i cili u vra tragjikisht më 1 prill.
Gjatë vizitës për ngushëllime në familjen Lika, kryeministri u prit me nderime dhe falënderime për mbështetjen institucionale.
Ai vlerësoi lartë figurën e të ndjerit, duke theksuar kontributin e tij të jashtëzakonshëm si pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe më parë si luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Rreshteri Muhamed Lika ka punuar e kontribuar shumë për rendin dhe ligjin, paqen dhe sigurinë e qytetarëve dhe shtetit tonë. E para kësaj, është angazhuar e ka kontribuar si luftëtar i UÇK-së për çlirimin e popullit dhe vendit tonë. Vrasja e tij do të ndriçohet e kriminelët tinëzarë do të gjykohen e dënohen. Emri i tij do të rrojë e kujtimi për të nuk do të shlyhet”, shkroi Kurti në librin e ngushëllimeve.
Ngjarja tragjike ka tronditur opinionin publik, ndërsa institucionet e sigurisë kanë nisur hetimet intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe kapjen e autorëve.
Kryeministri dhe zyrtarët qeveritarë shprehën solidaritet të plotë me familjen, duke u zotuar për drejtësi dhe mbështetje të vazhdueshme.