Kryeministri Albin Kurti ka folur për mediat në Kosovë, duke deklaruar se një demokraci nuk jeton vetëm nga vota e qytetarit, por edhe nga fjala e thënë, që sipas tij duhet të jetë e lirë për të qenë e vlefshme.
Ai para deputetëve ka thënë se një qytetar i dezinformuar nuk është i lirë por i manipuluar. E sipas tij, ky manipulim po vjen nga armiqtë e Kosovës të cilët “po e gjejnë argatin në Kosovë”.
Kurti ka shtuar se fjala nuk mund të jetë e lirë nëse është e kapur nga interesa të fshehta.
“Raportimet për financime me thasë parash nuk janë vetëm problem i etikes profesionale, ato janë kërcënim i drejtpërdrejt për integritetin e debatit publik. Sepse kur paraja hynë në mënyrë të padukshme, ajo nuk blen vetëm hapësirë mediatike, ajo blen ndikim, orienton narrativen dhe në fund deformon perceptimin e qytetarit. Një qytetar i dezinformuar nuk është qytetar i lirë, ai është i manipuluar, edhe siç tregojnë raportimet ky manipulim po vjen nga armiqtë tanë por që fatkeqësisht po gjejnë edhe argatin e tyre brenda vendit tonë. Ne nuk kemi asnjë interes t’i kufizojmë mediat, përkundrazi, kemi interes që ato të jenë më të forta, të pavarura, hulumtuese e kritike”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, pavarësia nuk mund të ndërtohet mbi fshehtësi që financojnë shpifjen e dezinformimin. Liria editoriale duhet të jetë e garantuar por duhet të shoqërohet me transparencë të plotë të pronësisë dhe financimit.
Ka shtuar se qytetarët duhet ta dinë se kush flet, në emër të kujt flet, me çfarë burime flet dhe nga kush financohet.
“Nëse secili biznes tjetër jep përgjegjësi për financat dhe burimet e tij, mediat duhet të jenë në të njëjtin nivel të përgjegjësisë. Ligji për Këshillin e Pavarur për media, nuk është për të kontrolluar mediat por për të mbrojtur atë nga kapjet. Censurë është pengesa e lajmit të drejtë dhe jo e lajmeve të pavërteta me financime të dyshimta. Një demokraci që nuk e sheh këtë rrezik me kohë rrezikon ta humbasë lirinë pa e kuptuar dhe me të njëjtën logjikë ka vepruar BE-ja kur ka mbyllur transmetimin e portaleve ruse”, ka deklaruar Kurti./KOHA