Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur pas takimit që ka pasur me presidenten Osmani në kuadër të konsultave për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Kurti para medieve ka thënë se sipas të gjitha gjasave, tetori do të jetë muaji i mbajtjes së zgjedhjeve lokale në Kosovë.
Kurti është shprehur se ende nuk kanë vendosur për emrin e personit me të cilin do të garojnë për Prishtinën, shkruan Reporteri.net.
“Edhe sivjet gjithçka tregon se tetori do të jetë muaji i zgjedhjeve lokale. Do të ketë proces të brendshëm në VV në përputhje me statusin dhe me siguri do ta kemi emrin që ne duam dhe që i përshtatet kryeqytetit”, u shpreh Kurti.
Ai ka folur edhe për procesin e dialogut, derisa ka thënë se takimi në Bruksel nuk është vazhdim i dialogut, por është kapitull i ri i këtij procesi.
“Unë kam takuar dy udhëheqës të partive opozitare, po ashtu do të kemi edhe një debat në parlament që ta shohim se ku ndodhemi. Takimi në Bruksel nuk është takim i vazhdimit të dialogut, është proces kur për herë të parë do të takohem me Vuçiqin me të cilin nuk jam takuar asnjëherë në jetë, me përjashtim të konferencën në Mynih të Gjermanisë. Aty do të shohim se si mund të jetë kapitulli i ri i dialogut”, u shpreh Kurti para gazetarëve. /Reporteri.net