Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, me rastin e shënimit të Ditës së Evropës, ka theksuar se në katër vitet e fundit, si Qeveri kanë bërë hapa të mëdhenj në procesin e integrimit evropian, mirëpo duke shtuar se vendi ynë meriton më shumë.
Ai ka shtuar se Kosova meriton që mos të mbahet më nën masa ndëshkuese të cilat ishin të padrejta që nga fillimi.
“Pas shënimit të 80-vjetorit të Ditës së Fitores ndaj nazizmit e fashizmit dhe mbarimit të Luftës së Dytë Botërore bashkë me miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë të botës demokratike perëndimore, sot e shënojmë Ditën e Evropës, në 75-vjetorin e Deklaratës së ministrit të Jashtëm francez Robert Schuman, që hodhi bazat e themelimit të Bashkimit Evropian. Këto dy ditë të rëndësishme për historinë e Evropës festohen e shënohen në perëndim, e jo në lindje. Kosova frymëzohet dhe mishëron vlerat më të larta të demokracisë, lirisë e paqes, të cilat duam dhe aspirojmë t’i shprehim si shtet kontribues i sigurisë dhe stabilitetit në Evropë edhe brenda familjes evropiane. Në katër vitet e fundit kemi bërë hapa të mëdhenj në procesin e integrimit evropian, por vendi ynë meriton më shumë. Meriton të jetë pjesë e një procesi të bazuar në meritokraci, meriton të vlerësohet në baza të tilla edhe aplikimi ynë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e meriton që mos të mbahet më nën masa ndëshkuese të cilat ishin të padrejta që nga fillimi”, ka shkruar Kurti.





