LAJME

Abdixhiku konfirmon se LDK do të marrë pjesë në Grupin Punues për Gjykatën Speciale

Abdixhiku konfirmon se LDK do të marrë pjesë në Grupin Punues për Gjykatën Speciale
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Tetor 2026, 19:05

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të marrë pjesë në grupin punues të formuar për të hartuar mbrojtjen në shkallën e dytë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka bërë të ditur se për përfaqësimin e partisë në këtë grup i ka kërkuar shefes së Grupit Parlamentar që të propozojë akademikun Kujtim Shala.

Abdixhiku ka thënë se në rast se Shala nuk mund të marrë pjesë, LDK-ja do të përfaqësohet nga deputetja Jehona Lushaku-Sadriu.

“Po natyrisht, do të marrim pjesë. I kërkova shefes së grupit parlamentar që të propozojë akademik, Kujtim Shalën. Nëse akademiku Kujtim Shala nuk mund të marrë pjesë, atëherë me siguri do të jetë vetë Jehona Lushaku-Sadriu”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai ka vlerësuar se përpjekjet e përbashkëta në këtë drejtim janë të mirëseardhura, por ka paralajmëruar kundër nismave që, sipas tij, nuk kanë efekt juridik dhe mund të krijojnë pritshmëri të pabazuara te qytetarët.

“Çdo përpjekje e përbashkët kombëtare është e mirëseardhur, për aq sa nuk i mashtrojmë qytetarët e Kosovës me iniciativa që s’kanë efekt juridik, gjithçka tjetër është e pranueshme”, ka thënë kreu i LDK-së.

Pjesëmarrja e LDK-së në grupin punues vjen në kuadër të përpjekjeve për të koordinuar angazhimet lidhur me fazën e dytë të procesit gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika