Në nëntëvjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka kërkuar zbardhjen e plotë të rastit, duke theksuar se pritja e gjatë për drejtësi është e papranueshme. Ai ka potencuar se s’mund ta bëjnë punën e drejtësisë, por bëri thirrje për angazhim më të madh për ta zbuluar të vërtetën.
Në homazhet e mbajtura të mërkurën në Prizren, Kurti ishte i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nënkryetarja Albulena Haxhiu, ministra në detyrë, deputetë dhe aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët më herët vizituan edhe familjen Dehari.
“Edhe njëherë i bëjmë thirrje sistemit të drejtësisë që të bëjë shumë më tepër dhe të angazhohet siç nuk është angazhuar deri më tash, sepse kjo padrejtësi, ky krim është plagë e hapur jo vetëm për familjen Dehari e Vetëvendosjen, por për mbarë familjen tonë shoqërore. Në punën e Prokurorisë dhe të sistemit të drejtësisë nuk mund të ndërhyjmë, janë shtylla të ndara të pushtetit. Ne shprehim gatishmërinë, vullnetin dhe interesin tonë për drejtësi. Ka shumë mundësi që në këtë rast duhet të hetohet edhe procesi i hetimit që është zhvilluar në fillimet e tij, meqë nëse diçka nis mbrapsht, atëherë bëhet dyfish më e vështirë që të mbarojë mbarë. Si kryeministër, aktivistët tanë, ministrat, deputetët tanë nuk mund të bëhen prokurorë e gjyqtarë”, deklaroi Kurti.





