Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Asociacioni nuk po bëhet për shkak të mos nënshkrimit të Serbisë. Kësisoj sipas Kurtit, faktori ndërkombëtar duhet të “merret” me palën që është tërhequr dhe jo me Kosovën. Ai një deklaratë të tillë e bëri në konferencën për media pas mbledhjes së fundit të Qeverisë për këtë vit.
“Ata që në Bashkimin Evropian ishin shumë të interesuar, për shembull, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht për draft-statutin e propozuar, e patën shansin. Presidenti i Serbisë që vazhdimisht e përmend Asociacionin, e pati shansin. Pra, nuk u bë për mungesë të gatishmërisë sime, andaj nuk ka kuptim të vazhdoni të më pyesni mua edhe më shumë. Pra, duhet të pyeten ata atje pse e humbën atë shans aq të mirë. Unë isha i gatshëm për nënshkrim, jo serioziteti doli te pala serbe që s’e nënshkruajti”, ka thënë Kurti, duke iu referuar takimit të 26 qershorit në Bruksel, me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelarin Olaf Scholz dhe kryeministren italiane, Giorgia Meloni rreth nënshkrimit të marrëveshjeve të dakordura me Serbinë në kuadër dialogut në Bruksel.
Tutje ai ka deklaruar se letra e kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, është pengesë për normalizim.
“Është tërhequr Serbia nga marrëveshja bazike nëse e lexoni letrën e kryeministres, Ana Bërnabiq. Nuk do të duhej të merrem unë, le të merret ndërmjetësi me njërën palë që u tërhoq. Në dosjen e Brukselit ajo letër është pengesë kapitale për normalizim dhe bisedime të mëtutjeshme”, ka thënë ai.
Kurti ka pasur kritika për institucionet kosovare për trajtimin e sulmit të 24 shtatorit. Sipas tij, ka një shpërputhje me provat të cilat ekzistojnë dhe numrit të aktakuzave të ngritura.
“Do të duhej që Prokuroria e Shtetit të bënte njoftim më të hollësishëm dhe të bëj aktakuza. E kam shprehur edhe të shtunën pakënaqësinë time me informacionet e shumta, hetimet e vazhdueshme që janë bërë për vitin e kaluar si vit i barrikadave dhe llogoreve, dhe për këtë vit që ishte vit i sulmeve paramilitare me shpërputhjen tyre me aktakuzat e ngritura për nga numri e me personat prapa grilave sërish për nga numri”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova këtë vit ka qenë më e fortë se kurrë në siguri. Ka përmendur anëtarësimin e vendit në katër organizata ndërkombëtare si dhe ka premtuar angazhim të mëtutjeshëm deri në anëtarësim të plotë në BE.
“Qëndrimi i Kosovës në vazhdimësi ka qenë parimor, këmbëngulës dhe i guximshëm. Kemi notuar edhe kundër rrymës, për t’i quajtur gjërat me emrin e tyre të vërtetë. Me këto qëndrime parimore kemi fituar respektin e botës demokratike”, ka thënë ajo.