Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se nuk ka informacione se çfarë do të kërkojnë dhe çfarë do të ofrojnë pesë emisarët që do të qëndrojnë nesër në Kosovë. Kurti tha se prioritet i tij dhe i institucioneve është siguria e Kosovës dhe se nuk mund të ketë normalizim pa siguri.
“Çka do të kërkojnë e çka do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them që nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit edhe për popullin edhe shoqërinë. Për këtë punojmë ditë e natë me krejt çfarë mundemi e dimë. Në dhjetorin e viti të kaluar i kishim tri javë 16 barrikada në veri. Me 26-29 maj të këtij viti patëm sulm mbi Policën, ushtër e KFOR-it dhe mbi ju gazetarë në veri. Me 14 qershor e patëm rrëmbim e tre policëve tanë në Leposaviq”, tha ai.
Kurti tutje ka kërkuar që ndaj Serbisë të vendosen sanksione pas zhvillimeve të fundit.
“Së fundi me 24 shtator patëm sulm terrorist nga i cili u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku. Është jetike për Kosovën për demokracinë, por do të thosha edhe për rajonin e Ballkanit në përgjithësi që atë të cilët nuk e kanë ditur ose kuptuar se kush është Serbia dhe Beogradi zyrtar më në fund ta bëjnë këtë sepse nuk është Kosova ajo e cila duhet të këtë masa ndëshkuese por është Serbia ajo së cilës duhet ti vendosen sanksione”, tha tutje ai.
E sa i përket dialogut, kryeministri tha se ka marrëveshje por që s’po zbatohen shkaku i Serbisë.
“Sa i përket dialogut në Bruksel ne prej atje kemi marrëveshje por që sërish për shkak të Serbisë nuk është zbatuar. Ne kemi qenë për herë konstruktiv të përkushtuar kreativ dhe kurrsesi nuk ka faja apo përgjegjësi në anën tonë pse Kosova dhe Serbia nuk i kanë marrëdhëniet normale. Marrëveshja bazike e Brukselit nga 27 shkurti e ka në qendër njohjen defacto reciproke dhe sa më parë zbatohet ajo do të kemi jo vetë normalizim demokratik e evropian por edhe siguri për vendin tone e për rajoni”, tha Kurti.
Të shtunën, fillimisht në Prishtinë, e më pas në Beograd, do të mbërrijë një grup prej pesë të dërguarve – Miroslav Lajçak, në emër të Bashkimit Evropian, Gabriel Escobar (SHBA), Emmanuel Bon (Francë), Jens Plotner (Gjermani) dhe Francesco Talo (Itali).
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, i tha agjencisë Beta se ata po shkojnë në bisedime =me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç, “me pritshmëri të qarta që të dyja palët të vazhdojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe të zbatojnë detyrimet e tyre pa vonesë dhe pa kushte”.