LAJME

Kurti pas takimit me Abdixhikun: Ka dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së

Kurti pas takimit me Abdixhikun: Ka dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së
TV Prizreni
TV Prizreni
7 Gusht 2026, 14:41

Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është zhvilluar në një atmosferë të hapur dhe të sinqertë, por pa prodhuar një marrëveshje politike.

Ai pas takimit të katërt me kryetarin Abdixhiku tha se ka dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së, parti kjo e cila po e kërkon presidentin.

Kurti tha se në takim janë diskutuar mundësitë dhe vështirësitë për konstituimin e institucioneve të reja.

“Takimi ishte i hapur, i sinqertë. Diskutuam për mundësitë dhe vështirësitë e konstituimit të institucioneve. Nuk kemi ende marrëveshje politike”- deklaroi ai.

Sipas tij, për të siguruar stabilitet institucional dhe për të shmangur zgjedhjet e reja, është e domosdoshme që partitë të arrijnë marrëveshje edhe për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së ardhshme.

“Jam i bindur që për qëndrueshmëri, përpara që të evitohen zgjedhjet, nuk mundet ndryshe përveçse me marrëveshje për zgjedhjen e presidentit apo presidentes së re. Në kushtet kur zgjedhim kryetarin e Kuvendit dhe qeverinë pa presidentin, është metodë e provuar dhe do të sillte pashmangshëm në shpërndarjen e Kuvendit”- u shpreh Kurti.

Ai theksoi se dallimet mes dy partive mbeten të mëdha, duke vlerësuar se kërkesat e LDK-së nuk janë në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve.

“Qëndrimet nuk përputhen dhe bindja ime është që ka dallim drastik mes rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Si LVV nuk mund të bëjmë marrëveshje që deformon rezultatin zgjedhor”- tha Kurti.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se nuk sheh asnjë arsye për shtyrjen e konstituimit të Kuvendit, duke theksuar se seanca konsituive duhet të ftohet sot më 07.08.2026, duhet të përfundojë me themelimin e legjislaturës së re.

“Nuk kam lajme të reja, por jemi shumë, shumë larg marrëveshjes”- tha Abdixhiku pas takimit të katërt me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin.

 

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika