Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, ka vizituar punimet në parkun e erës në Zatriq të komunës së Rahovecit, projekt i cili pritet të përfundojë në korrik të këtij viti.
Sipas Kurtit, investimi prej 110 milionë eurosh nga kompania turke Çalik Renewables dhe Eurokos nga Kosova do t’i shtojë vendit kapacitet të ri prej 70 MW për prodhimin e energjisë elektrike nga era.
“Ky projekt është dëshmi që Kosova, përmes një kornize ligjore dhe rregullative të përshtatshme dhe përmirësimeve të vazhdueshme në klimën e të bërit biznes, ofron siguri për investime të huaja në energji të ripërtëritshme dhe jo vetëm”, tha Kurti.
Ai theksoi se parku i erës pritet të prodhojë rreth 185 GWh energji elektrike në vit, duke mbuluar konsumin e rreth 45 mijë familjeve me energji të pastër. Projekti përfshin 12 turbina me kapacitet rreth 6 MW secila.
Kurti gjithashtu vlerësoi punën e kompanive investuese dhe mbi 175 punëtorëve të angazhuar në projekt, prej të cilëve rreth 130 janë nga Kosova, duke e cilësuar investimin si të rëndësishëm për zhvillimin energjetik të vendit dhe tranzicionin drejt burimeve të ripërtëritshme.





