Dëme të pariparueshme në dialog e në Këshillin e Evropës si institucion do të shkaktojë përzierja eventuale e dy proceseve, sipas kryeministrit Albin Kurti. Në takimin që të hënën ka zhvilluar me ambasadorë e përfaqësues të QUINT-it e BE-së në Kosovë, Kurti ka folur edhe për kushtin e ri për anëtarësimin në Këshillin e Evropës – dërgimin e draftstatutit për shqyrtim në Kushtetuese.
Kryeministri Albin Kurti ka kundërshtuar vendosjen e kushteve të reja për Kosovën para votimit final për anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
Pas takimit me përfaqësues të QUINT-it e të BE-së në Kosovë, Kurti ka thënë se kanë plotësuar të gjitha kushtet e vendosura dhe çdo kërkesë tjetër është në shpërputhje me votimin në Asamblenë Parlamentare.
Ai ka kërkuar që çështja e dialogut të mos përzihet me procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg; se procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon. Këto dy procese nuk duhet të përzihen pasi nuk e ndihmojnë njëra-tjetrën. Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.





