Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Qeveria e drejtuar prej tij nuk ka qenë asnjëherë për të vendosur dokumente të përkohshme për qytetarët serbë që hynë në territorin kosovar, por që sipas tij, po e bën atë që Serbia e ka bërë vazhdimisht me qytetarët kosovarë.
“Ne nuk do të kishim preferuar dokumentet e tilla. Mirëpo, nëse qytetari i jonë e merr një dokument të tillë, duhet ta merr edhe një qytetar serb. Siç nuk kemi qenë për targat e përkohshme, mirëpo përderisa ka një të tillë për qytetarin tonë kur hynë në Serbi, ka nevojë që të ketë edhe për qytetarin serb që hynë në Kosovë”, ka thënë Kurti në një konferencë për media të shtunën në Aeroportin “Adem Jashari”.
Nga 1 gushti qytetarët e Serbisë që hynë në Kosovë do të pajisjen me një dokument për hyrje-dalje në të të gjitha pikat kufitare, një masë të ngjashme të cilën tash e sa vjet e aplikon Serbia ndaj qytetarëve të Kosovës.
Po ashtu nga 1 gushti fillon regjistrimi i veturave që posedojnë targa ilegale që të kthehen në targa RKS.
Kurti: Vuçiq po shfaqet si president i frikësimit dhe i kërcënimit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti serb Aleksander Vuçiq po shfaqet si president i frikësimit dhe i kërcënimit, e që sipas tij, këto nuk janë vlera të mira evropiane.
Kurti edhe një herë u shpreh i gatshëm për dialog “kurdo që thërret Brukseli”, duke iu kundërpërgjigjur deklaratave të Vuçiqit që tha se s’dialogon përderisa në krye të Qeverisë do të jetë Albin Kurti.
“Më 19 korrik është dashur të takohemi në Bruksel me presidentin serb. Unë kam qenë i gatshëm, por pala tjetër nuk ka qenë. E kanë shtyrë takimin për një muaj. Presidenti serb po shfaqet si president i frikësimit dhe i kërcënimit. Për t’u integruar në BE, është e domosdoshme t’i lëmë frikësimet dhe kërcënimet dhe të orientohemi ka vlerat e mira evropiane, kah sanksionet e Rusisë, dhe ballafaqimi me të kaluarën. Jam i bindur se në Serbi ka gatishmëri dhe interesim të tillë. Kreu shtetëror më shumë paraqitet si pengesë sesa si lehtësues. Gjithsesi, ne jemi gati kurdo që të na thërrasë Brukseli për një takim të mirëorganizuar”, ka thënë ai.
Kurti e quajti të shkëlqyer dhe shumë të frytshëm vizitën e tij dhe të presidentes Vjosa Osmani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u takuan me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken. /koha.net/