Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla patën sot një takim virtual me udhëheqësit e misioneve diplomatike të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Temë e takimit ishin programi dhe prioritetet e Qeverisë, me theks në agjendën e integrimeve evropiane. Kryeministri Kurti falënderoi përfaqësuesit diplomatikë për bisedën dhe përkrahjen e BE-së për Kosovën. Ai theksoi se prioritetet e Qeverisë janë drejtësia dhe punësimi, reformimi i sistemit të drejtësisë dhe promovimi i investimeve.
“Hapin e parë të reformës në drejtësi e kemi nisur me aprovimin e koncept dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme që i paraprinë procesit të Vettingut në drejtësi”, tha Kryeministri Kurti. Ai foli edhe për planet për reformimin e prokurimit publik me qëllim të rritjes së transparencës për përfituesit përfundimtarë.






