Ndonëse mbledhja e sotme e Qeverisë së Kosovës, u mbajt pa të, është Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ai i cili e ka përshëndetur këtë takim të sotëm, ani pse nuk raportohet të jetë kthyer nga Greqia.
Kurti shkruan se në këtë mbledhje të qeverisë, u miratuan 30 vendime, më me prioritet prej të cilave qe trajtimi i gjendjes emergjente në Komunën e Deçanit.
”Në mbledhjen e 19-të me radhë të Qeverisë së Republikës së Kosovës u miratuan gjithsej 30 vendime.
Me prioritet, në fillim të mbledhjes u trajtua gjendja emergjente në Komunën e Deçanit. Krahas mbështetjes së deritanishme të dhënë nga Qeveria, me të gjitha resurset e nevojshme për tejkalimin e gjendjes, sot u ndanë 150.000 euro për rrjetin e ujësjellësit, me qëllim sigurimin e furnizimit të rregullt dhe të sigurt me ujë të pijes.
Për rritje ekonomike që e rritë mirëqenien e qytetarëve, do të mundësohen 420 milionë euro mbështetje nëpërmjet Pakos për Ringjalljen Ekonomike të vendit.
Si pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, do të përgatisim Programin për Reforma Ekonomike 2022-2024.
U ndanë 4 milionë euro për blerjen e teksteve shkollore, 4.5 milionë euro për blerjen e dronëve për Ministrinë e Mbrojtjes, 1.3 milion euro për kompensimin e dëmeve natyrore në bujqësi. Po ashtu u mundësua blerja e automjeteve të blinduara për Doganat e Kosovës.
Përmirësimi i vazhdueshëm i menaxhimit të pandemisë COVID-19, mundësoi lehtësimin dhe heqjen graduale të kufizimeve në përballje me situatën epidemiologjike.
U morën dy vendime lidhur me: nënshkrimin e marrëveshjes “Projekti Emergjent i Kosovës për Covid-19 – Financim shtesë” dhe amandamentimin e projektit “Kontributi i BE-së për disponueshmërinë dhe qasjen në vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë”.
Në vazhdimësi të trajtimit me prioritet të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës, emëruam z. Andin Hoti, Kryetar të Delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e personave të zhdukur.
Për herë të parë, në nivel shtetëror u emërua Komisioni për hulumtimin, inventarizimin, vlerësimin dhe dokumentimin e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike të shkatërruara gjatë luftës 1998 – 99.
Bëmë hapin e parë drejt themelimit të Operës së Kosovës.
Me qëllim të adresimit të çështjes së mbrojtjes së tokës bujqësore dhe shfrytëzimit të pyjeve, u themeluan dy Task Forca ndërinstitucionale. Kabineti Qeveritar i dha mbështetjen udhëzimit administrativ që rregullon dhe mundëson një mjedis me ajër të pastër.
U miratua Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2021-2025 dhe u kërkua autorizimi për Amandamentimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2016.
Pesë projektligje iu proceduan Kuvendit: ai për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Çështjet Penale; të Drejtën Ndërkombëtare Private; Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja; Mbeturinat nga Industritë Nxjerrëse të Mineraleve; si dhe Amandamentimi i Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Hungarisë mbi Programin Kornizë për Bashkëpunim Financiar.
Kuvendit po ashtu iu propozuan edhe kandidatët për bordet e dy institucioneve të rëndësishme: Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji. U emëruan dy borde të përkohshme të ndërmarrjeve publike të ujësjellësit, “KRU Gjakova Sh. A.” dhe “Mitrovica Sh. A.”. Po ashtu, u miratuan nismat për dy marrëveshje ndërkombëtare me Qeverinë e Danimarkës për bashkëpunim në fushën e drejtësisë, si dhe transferimin e personave të dënuar.
Vendimet e sotme janë vazhdim i zbatimit të zotimeve tona para qytetarëve, për një shtet të drejtë e zhvillimor”.