Gjatë fjalimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në Austri, gjegjësisht në Akademinë Diplomatike të Vjenës, u përmendën fakte rrëqethëse nga krimet e bëra të Serbisë në Kosovë.
Nga foltorja e tij atje, Kurti kujtoi se si në Serbi, në lumin Danub afër fshatit Tekija, një peshkatar e kishte vërejtur një objekt që notonte mbi ujë dhe zbuloi se ishte një copë kamioni. Më pas e ka thirr një zhytës dhe në fund të lumit ata kanë gjetur një kamion ngrirës të thertores.
“Ndërsa nxjerrin kamionin nga uji, këmbë të njerëzve fillojnë të bien nga pjesa e pasme e kamionit. Hapin dyert dhe brenda gjejnë 86 trupa, dhe tre koka. Mes tyre është edhe trupi i një vajze të vogël vetëm 7-vjeçare. Ndërsa kontrollonin gjërat e saj, ata gjejnë çantën e saj të shkollës. Brenda çantës është një fletore e UNICEF-it, lapsa me ngjyra dhe një kukull e vogël. Në fletore kishte vizatime të shtëpive dhe luleve”, tregon Kurti.





