LAJME

Kurti: Në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, do ta kemi mbrojtjen gjithëpërfshirëse

Kurti: Në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, do ta kemi mbrojtjen gjithëpërfshirëse
TV Prizreni
TV Prizreni
28 Maj 2026, 11:55

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se në vend të shërbimit të detyrueshëm ushtarak, vendi do të fokusohet në modelin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, të cilin e ka cilësuar si më të përshtatshëm për rrethanat aktuale të sigurisë. Ai s’ka dhënë detaje se kur do të nisë zbatimi i këtij plani, që ishte miratuar në Qeveri në shtator të vitit 2024.

Kurti ka thënë se, ndonëse shërbimi i detyrueshëm ushtarak mbetet një opsion për të ardhmen, aktualisht është vlerësuar se modeli i mbrojtjes totale është më funksional.

“Është temë e gjatë, por mos harroni çfarë kemi bërë dhe kjo nuk do të thotë që s’do ta bëjmë një ditë shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Por për momentin kemi vlerësuar se më mirë është të kemi mbrojtje gjithëpërfshirëse apo mbrojtje totale”, ka thënë Kurti në një konferencë për shtyp të enjten.

Ai e përshkroi këtë model si të ngjashëm me atë të Finlandës dhe vendeve baltike (Estonia, Letonia e Lituania v.j.), ku qytetarët nuk trajnohen vetëm në mënyrë masive ushtarake, por përgatiten për role dhe detyra konkrete në raste emergjencash. Sipas tij, ky sistem përfshin edhe përgatitjen për fatkeqësi natyrore dhe situata lufte, duke i ndarë përgjegjësitë në mënyrë të organizuar për qytetarët.

“Por kjo do të thotë që tash për tash, situatën në të cilën ndodhemi, kemi vlerësuar se më mirë të kemi mbrojtjen gjithëpërfshirëse apo mbrojtjen totale, një model që i ngjan atij të Finlandës dhe të vendeve baltike – ku ti nuk e bën ushtrinë një grumbuj të madh njerëzish, ku mandej duhesh ta strukturosh dhe ta pajisesh, por në vend të kësaj përcakton funksione, detyra konkrete dhe vende të caktuara për qytetarët e Republikës në rast të rreziqeve të ndryshme nga fatkeqësitë natyrore deri te lufta e armatosur”, u shpreh ai.

Kurti ka thënë se kjo qasje plotësohet edhe me një program të edukimit për siguri në shkolla të mesme, i frymëzuar nga shembulli i Polonisë, që synon t’i përgatisë të rinjtë për reagim në raste emergjente.

Po ashtu, ai përmendi edhe krijimin e rezervës vullnetare, e cila do t’u mundësonte qytetarëve që të bëhen rezervistë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), me pajisje të gatshme në dispozicion në rast nevoje.

“Do ta kemi edhe një model për shkollat e mesme që quhet edukimi për siguri, i frymëzuar nga shembulli i Polonisë e që mundëson që të rinjtë të mësojnë sa më shumë dhe më saktë reagimet që duhet t’i kenë në rast të fatkeqësive natyrore apo luftërave. Do ta kemi edhe rezervën vullnetare e cila mundëson që qytetarët e Republikës që do të bëhen rezervista të FSK-së t’i kenë pajisjet nga çizmet deri tek arma e tyre në një adresë të caktuar te FSK-ja. Kjo çfarë po bëjmë është shumë më e mirë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak”, u shpreh Kurti./KOHA

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika