Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot fjalim në mbledhjen solemne të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së vendit.
Në adresimin e tij, Kurti kujtoi aktin historik të 17 shkurtit 2008, duke nderuar qëndresën dhe sakrificën e popullit të Kosovës ndër shekuj. Ai theksoi se rrugëtimi drejt lirisë ka kaluar përmes rezistencës paqësore dhe kryengritjeve të armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, të cilat kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot, pavarësia jonë mbush 18 vjet. Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull”, u shpreh Kurti, duke shtuar se ndonëse shteti dhe kushtetuta janë të reja, gjuha, kultura dhe populli janë të lashtë.
Kryeministri vlerësoi arritjet e shtetit në këto 18 vite, duke përmendur rritjen e numrit të njohjeve ndërkombëtare, që sipas tij tashmë janë 121, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe forcimin e sundimit të ligjit. Ai theksoi gjithashtu zhvillimin ekonomik, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, si dhe sukseset në sport, art dhe kulturë.
Në fjalën e tij, Kurti përmendi edhe lëvizjen e lirë pa viza dhe hapat drejt integrimit evropian, përfshirë aplikimin për anëtarësim në Bashkimi Evropian dhe në Këshilli i Evropës, duke i cilësuar këto si arritje që e bëjnë vendin krenar.
Ai nuk la pa përmendur as ish-përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë, e që aktualisht po mbahen në Hagë, duke theksuar se kontributi i tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe se historia do të japë gjykimin e drejtë.
Duke folur për fillimin e mandatit të ri qeverisës, Kurti tha se besimi i qytetarëve sjell përgjegjësi të madhe dhe se punët që presin janë të shumta. Ai bëri thirrje për angazhim të përbashkët nga të gjithë qytetarët – mësues, studentë, mjekë, punëtorë, ushtarë, policë, të rinj e të moshuar – për forcimin dhe zhvillimin e shtetit.
“Qeveria dhe kabineti qeveritar janë vetëm instrument në realizimin e qëllimit të përbashkët për një Kosovë më të zhvilluar e më të fortë”, theksoi ai në fund të fjalimit.
Kryeministri e përmbylli adresimin me urimin për 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke shprehur lavdi dhe nderime për të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe shtetin.