Kryeministri Albin Kurti, ka theksuar se tri vitet e qeverisjes së tij ishin përplot sfida, por edhe të arritura. Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhe e arritura kryesore është se Kosova është ngritur në ekonomi me rritje prej 6.2% të bruto-produktit vendor, dhe kjo rritje është shpërndarë përmes pakove të ndryshme. Kurti ka përmendur ballafaqimin me pandeminë, inflacionin, krizën energjetike e deri tek subvencionimet ndryshme të dhëna, siç ka thënë ai gjithandej.
Kurti ka thënë se sfidat kryesore dhe që i kanë marr shumë kohë kanë qenë një dyzinë ligjesh të reformave substanciale, sociale, ekonomike dhe të drejtësisë në Kosovë, e siç shtoi ai ato kanë ngelur të bllokuara në Gjykatën Kushtetuese dhe se një pjesë e tyre janë deformuar ose anuluar.
Kryeministri u shpreh i kënaqur në atë se çka ka arritur si qeveri së bashku me ekipin e tij të ministrave, grupin parlamentar, me institucionet dhe agjencitë shtetërore të cilat, siç ka thënë ai kanë pasur bashkëpunim të mirë me qeverinë në këtë progres socio-ekonomik dhe demokratik. Sipas tij, në këto tri vite qeverisje është ngritur imazhi i Kosovës në botë.





