LAJME

Kurti në Jerevan takohet edhe me Rutten e Zelenskyn

Kurti në Jerevan takohet edhe me Rutten e Zelenskyn
TV Prizreni
TV Prizreni
4 Maj 2026, 20:59

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Jerevan të Armenisë ka biseduar edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Kurti në një postim në Facebook ka thënë se ka marrë pjesë në dy panele: “European Coalition Against Drugs” dhe “Reinforcing Democratic Resilience and Addressing Hybrid Threats” dhe ka pasur shumë takime me liderë shtetesh.
“Pata kënaqësinë të takoj e bisedoj me miq si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte, shefja e Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së BE-së Kaja Kallas, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenković, kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden, kryeministri i Finlandës Petteri Orpo, Princi Albert II i Monakos, e po ashtu liderë shtetesh me të cilat synojmë të lidhim marrëdhënie diplomatike si presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy. Republika e Kosovës është e përcaktuar, e angazhuar dhe e përkushtuar në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si një domosdoshmëri por edhe si garancia më e mirë për stabilitetin dhe sigurinë afatgjate në rajon në njërën anë dhe zhvillimin e qëndrueshëm në anën tjetër”, ka shkruar Kurti. “Njohja e Republikës së Kosovës, e cila është e rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, nga vendet që ende hezitojnë ta bëjnë këtë dhe avancimi i statusit në shtet kandidat për anëtarësim janë hapat që duhet t’i paraprijnë një procesi të bazuar në merita”.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika