LAJME

Kurti në Irlandë takohet me përfaqësuesit e Komitetit për Çështje të BE-së, kërkon avancimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit

Kurti në Irlandë takohet me përfaqësuesit e Komitetit për Çështje të BE-së, kërkon avancimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit
TV Prizreni
TV Prizreni
13 Nëntor 2026, 22:37

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Irlandë, është pritur në takim në Parlamentin e Republikës së Irlandës (Houses of the Oireachtas) nga përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian.

Në takim morën pjesë kryesuesi i Komitetit, Barry Ward, anëtari Rúairí Ó Murchú, sekretari Ivan Farmer, si dhe drejtori për Zgjerim dhe Njësinë për Evropën Juglindore të BE-së, Frank Smyth.

Gjatë takimit, Kurti theksoi rëndësinë e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, duke kërkuar që Këshilli i Bashkimit Evropian të marrë mendimin e Komisionit Evropian për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. “Që rrugëtimi zyrtar i Republikës së Kosovës drejt BE-së, nëpërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, të mos vonohet edhe më tej, është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin e dorëzuar në dhjetor të vitit 2022”, u shpreh Kurti.

Ai gjithashtu nënvizoi se procesi i integrimit evropian është po aq i rëndësishëm sa edhe arritja e synimit përfundimtar, pasi reformat e ndërmarra në këtë rrugë sjellin përfitime për qytetarët dhe kontribuojnë në forcimin e shtetit. Kurti shprehu mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës, duke përmendur strehimin e refugjatëve kosovarë dhe kontributin e saj në kuadër të KFOR-it.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika