Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Çekisë, në shënim të Ditës Kombëtare të Çekisë.
Zyra e kryeministrit, përmes një komunikate për media, njofton se kryeministri Kurti gjatë fjalimit të tij tha se është kënaqësi e madhe kremtimi i Ditës Kombëtare të Republikës Çeke, vend i cili mbetet një nga partnerët tanë më të ngushtë dhe një aleat i palëkundur i Republikës së Kosovës. Mirënjohje theksohet se Kurti shprehu veçanërisht për mbështetjen e Çekisë në përpjekjet drejt rrugës së integrimit euro-atlantik, derisa Republika Çeke këtë vit shënoi dy dekada të anëtarësimit në BE dhe një çerek shekulli në NATO, shkruan zyra e kryeministrit.
“Republika Çeke mbetet një nga partnerët tanë më të ngushtë dhe një aleat i palëkundur i popullit të Kosovës. I vlerësoj thellësisht marrëdhëniet e forta dhe miqësore mes dy vendeve tona. Jam i kënaqur të shoh duke u forcuar gjithnjë e më shumë bashkëpunimi ynë dypalësh dhe shumëpalësh përmes ndërveprimeve të shtuara diplomatike dhe ekonomike, si dhe shkëmbimeve midis njerëzve tanë”, u shpreh kryeministri, thuhet në komunikatë.






