Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka thënë se në mesin e pikave e kemi një më të veçantë dhe është kërkesa për shpronësim të pronave të paluajtshme për ndërtimin e zonës industriale në Gjakovë. Me miratimin e kësaj, Kurti ka thënë se do t’i hapin rrugë në terren për fabrikën e municioneve, të parët e këtij lloji në Kosovë.
“Kjo do ta rrisë sigurinë, do ta forcojë ushtrinë dhe do të rrisë kapacitetet tona. E bën edhe më të veçantë që po e miratojmë në Ditën e Forcës. Ndërtimi i kësaj fabrike do të përfundojë brenda vitit të ardhshëm. Municionet e para do të dalin në fund të vitit 2026. Do të shërbejë kjo zonë industriale edhe për investitorë të tjerë që jemi në kontakt për lloje të ndryshme të produkteve ushtarake, dronë ushtarakë dhe civilë ‘Made in Kosova’”, ka thënë ai.
Kurti ka deklaruar se e kanë katërfishuar buxhetin për mbrojtje dhe dyfishuar numrin e ushtarëve.
“Ushtrinë e kemi pajisur me sisteme të reja dhe moderne nga shtete anëtare të NATO-së. Mbi 430 milionë euro blerje të armatimit gjatë këtij mandati. Mandatin e ardhshëm do të investojmë mbi 1 miliard euro. Duke rritur ushtrinë, e sigurojmë Republikën, duke ngritur forcën e sigurisë e forcojmë partneritetin me aleatë”, ka thënë ai./KOHA
