LAJME

Kurti mori pjesë në mëngjesin e shtruar nga Oda Tregtare Kosovaro Turke, diskutuan prodhimin e municionit dhe planet për hekurudhat e digat e reja

Kurti mori pjesë në mëngjesin e shtruar nga Oda Tregtare Kosovaro Turke, diskutuan prodhimin e municionit dhe planet për hekurudhat e digat e reja
TV Prizreni
TV Prizreni
25 Maj 2026, 12:24

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe zëvendësministri në detyrë i Ekonomisë, Getoar Mjeku, mori pjesë në mëngjesin e shtruar nga Oda Tregtare Kosovaro Turke.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, në fjalën hyrëse, Kurti falënderoi Turqinë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Republikës së Kosovës, ndërsa theksoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë të shkëlqyeshme.

Krahas bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar në rritje me Turqinë, Kurti thuhet se foli me theks të veçantë për atë në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes të Republikës së Kosovës, përkatësisht prodhimin e municionit.

Siç bëhet e ditur, gjatë këtij mëngjesi pune, ai shpalosi planet për katër hekurudhat të reja si lidhje me rajonin dhe Evropën, por edhe rrjet i brendshëm: Fillimin e ndërtimit të hekurudhës Gjakovë-Shkodër, në kuadër të asaj Prishtinë-Durrës; pastaj përfundimin e linjës hekurudhore 10, Han i Elezit – Fushë Kosovë – Mitrovicë – Leshak; projektimin e linjës Prizren – Ferizaj – Gjilan – Bujanoc; si dhe, përgatitjen e asaj Prishtinë – Aeroport.

Po ashtu, bëhet e ditur se ai foli edhe për ndërtimin e pesë digave të reja në: Firajë, Pollatë, Kuçicë, Dragaçinë dhe Desivojcë.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika