Me ftesë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti udhëtoi sot për në Bruksel, ku mori pjesë në drekën e punës bashkë edhe me liderë të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Në njoftimin e kryministrisë bëhet e ditur se kryeministri Kurti fillimisht uroi znj. von der Leyen për rizgjedhjen e saj si Presidente e Komisionit Evropian dhe u shpreh i gatshëm për ta vazhduar bashkëpunimin e afërt me qëllim avancimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe integrimin evropian të Kosovës.
Tutje, thuhet që Kurti theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen, thuhet në njoftim.








