Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur lajmin e fillimit të shërbimeve cilësore të internetit në vendin tonë, nga kompania Starlink e miliarderit Elon Musk, duke thënë se ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale.
“Pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink ka filluar shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë. Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës. Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare”, ka shkruar Kurti në Facebook.





