Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në pritjen e organizuar me rastin e shënimit të Ditës Kombëtare të Luksemburgut.
“Vendet tona ndajnë një miqësi të veçantë. Dukati i Madh i Luksemburgut ishte ndër të parët që njohu pavarësinë e Kosovës, vetëm disa ditë pas shpalljes në shkurt të vitit 2008. Kjo mbështetje e shpejtë dhe e palëkundur është diçka që do ta kujtojmë gjithmonë me mirënjohje të thellë”, tha Kurti në fjalën e tij, gjersa uroi partnerët tanë të Luksemburgut në festimin e ditës së tyre kombëtare, njofton Kryeministria.
Në vijim, ai theksoi rolin e Luksemburgut në zhvillimin e Kosovës, në fusha kyçe si arsimi, trajnimi profesional dhe qasja në punësim, zhvillimi lokal, kujdesi shëndetësor, shoqëria civile, mbrojtja e mjedisit dhe iniciativat sociale. Luksemburgu ka kontribuar gjithashtu në zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe ka ofruar ndihmë teknike të vlefshme si në sektorin financiar ashtu edhe në rrugën tonë drejt integrimit evropian.





