Mbrëmë vonë, me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurisë, për të diskutuar rreth zhvillimeve të fundit të situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme, gjegjësisht zhvillimit të operacionit ushtarak “Epic Fury” të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të forcave partnere, kundër Republikës Islamike të Iranit.
Siç bëhet e ditur në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka ritheksuar qëndrimin e qartë të institucioneve të Republikës së Kosovës se qëndrojnë të palëkundur përkrah miqve dhe aleatëve tanë strategjikë, e në veçanti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në përpjekjet për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit ndërkombëtar.
“Republika e Kosovës, në përputhje me orientimin e saj euroatlantik dhe partneritetin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështet veprimet e ndërmarra nga SHBA-të ndaj objektivave të regjimit të Ajatollahëve në Iran, duke i vlerësuar ato si masa që synojnë parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë dhe kufizimin e kapaciteteve destabilizuese në rajon. Njëkohësisht, Republika e Kosovës shpreh solidaritetin e saj me popullin e Iranit dhe aspiratat e tyre legjitime për liri, dinjitet dhe të drejta themelore” – thuhet në njoftim.
Kurti mbledh Këshillin e Sigurisë – Kosova mbështet veprimet e SHBA-ve ndaj Iranit

Në njoftim thuhet se institucionet e Republikës së Kosovës tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës, dhe se janë duke i monitoruar për së afërmi zhvillimet në Lindjen e Mesme, sikurse edhe implikimet e mundshme për Kosovën dhe rajonin.
“Ne po ashtu jemi në komunikim të afërt dhe të vazhdueshëm edhe me partnerët tanë strategjik” – thekson ZKM.
Tutje, u është bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë të qetë dhe të informohen vetëm përmes kanaleve zyrtare dhe burimeve kredibile të informimit, dhe të mos bien pre e dezinformatave dhe propagandës që kanë për synim destabilizimin e vendit dhe krijimin e pasigurisë, tensioneve apo përhapjen e narrativeve kundër shtetësisë dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
“Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme dhe e përkushtuar e komunitetit euroatlantik dhe do të vazhdojë të kontribuojë në përpjekjet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global” – përfundon ZKM.
Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.
Të tjera nga rubrika

Ngjitet për të rregulluar defektin elektrik – vdes nga goditja e rrymës një 50-vjeçar në Manastiricë të Prizrenit

Policia: Operacion i madh kundër krimeve të luftës në Kosovë, pesë të arrestuar për vrasjet e vitit 1998 në Syriganë

Sot Kurti mbledh partinë, do të trajtojnë propozimin e tyre për president të Kosovës

