Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot 27-vjetorin e masakrës në fshatin Lubizhdë të Hasit, duke rikthyer në vëmendje një nga ngjarjet më tragjike të luftës në Kosovë.
Në një shkrim përkujtimor, Kurti rikujtoi se më 12 prill të vitit 1999, forca të shumta të Batalionit të Dytë të Motorizuar 549 të ushtrisë jugosllave rrethuan zonën ku ishin strehuar banorët e fshatit. Sipas tij, pas ndarjes së burrave nga gratë dhe fëmijët, ushtarët serbë ushtruan tortura dhe i rreshtuan civilët për ekzekutim.
Kryeministri theksoi se dëshmitë e të mbijetuarve flasin për barbarinë e këtij krimi shtetëror, të shoqëruar me tortura, maltretime, plaçkitje, dhunime, dëbime dhe shkatërrim të pronave.
Duke iu referuar zhvillimeve të atyre ditëve, Kurti nënvizoi se gjatë mesit të prillit 1999, nga fushatat e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë, u vranë 40 civilë të paarmatosur në Lubizhdë të Hasit. Po ashtu, në përballje me forcat serbe dhe në mbrojtje të popullsisë civile, ranë 14 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në fund të reagimit të tij, kryeministri Kurti vlerësoi sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve, duke theksuar se jetët e dhëna për çlirimin e Kosovës përbëjnë themele të qëndrueshme të lirisë dhe shtetndërtimit të vendit.