Me rastin e 26-vjetorit të rënies heroike të dëshmorëve, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se jeta e tyre u shenjua dhe u përmbyll nga veprat e tyre heroike si luftëtarë të lirisë së atdheut.
“26 vite nga dita kur ranë, i kujtojmë bashkë dy dëshmorët e lirisë së Kosovës, Rasim Kiçinën dhe Ragip Halilajn. Ata u vranë më 30 maj 1999, teksa po përpiqeshin t’i mbronin dhe strehonin civilët e rrethuar nga forcat serbe, që në pranverën e vitit 1999, i kishin përshpjetuar dhe egërsuar maksimalisht operacionet për spastrimin etnik të Kosovës. Jeta e Rasim Kiçinës dhe e Ragip Halilajt u shenjua dhe u përmbyll nga veprat e tyre heroike si luftëtarë të lirisë së atdheut. Më 30 maj të vitit 1999, pesë ushtarë të UÇK-së, Jahir Demaku, Rasim Kiçina, Ragip Halilaj, Ymer Xhemajlaj dhe Arben Xhemajlaj, ishin nisur drejt Berishës, bashkë me Sokol Krasniqin që u printe rrugës. Rreth orës 21:00, në fshatin Arllat, ata ranë në pritë të forcave serbe. Përkundër luftimeve dhe të shtënave edhe nga të rënët në pritë, Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj u qëlluan për vdekje, kurse Arben Xhmejlaj fatmirësisht shpëtoi ndonëse i plagosur në këmbë. Ata ranë dëshmorë për çlirimin e Kosovës nga Serbia, vetëm tre javë para se ky synim i kahmotshëm të realizohej. Lavdi dëshmorëve Rasim Kiçina dhe Ragip Halilaj, bashkë me të gjithë të rënët për liri!”, ka shkruar Kurti në Facebook.