Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar sot 581 vjetorin e Kuvendit të Lezhës.
Kurti në një postim në Facebook, ka shkruar rreth ngjarjes së Kuvendit të Lezhës si pjesë e historisë së përbashkimeve politike të shqiptarëve.
Duke dashur ta përkujtojmë historinë e përbashkimeve politike të shqiptarëve, sot e kujtojmë 581 vjetorin e Kuvendit të Lezhës. Më 2 mars të vitit të largët 1444, në qytetin e Lezhës, u mblodhën në kuvend një mori fisnikësh arbër, nga dinastitë Arianiti, Topia, Dukagjini, Kastrioti, Zaharia, Spani, Gjurashi dhe të tjera familje bujarësh, me qëllim që t’i bashkonin forcat e tyre për t’i bërë ballë ekspansionit të osmanëve. Këshilli i Përgjithshëm i dalë nga ky Kuvend në Lezhë, e caktoi Gjergj Kastriotin Kapiten të Përgjithshëm, si prijës ushtarak të forcave të bashkuara të tyre. Vetëm tre muaj më parë, më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbeu, e kishte ngritur flamurin e kryengritjes kundër osmanëve, duke shënuar fillimin e një epoke çerekshekullore të rezistencës së armatosur kundërosmane në Arbëri. Gjatë tre dekadave të mesme të shekullit të XV, arbërit dhe Arbëria të udhëhequr nga Skënderbeu, u kthyen në një zonë të pathyeshme për osmanët, në rrugën e tyre drejt pushtimit të Evropës synuar përmes brigjeve të Italisë. Megjithëse në dekadat pasuese të gjitha trevat e banuara nga arbërit ranë në pushtimin osman dhe ishin pjesë e Perandorisë Osmane deri në fillim të shekullit XX, epoka e Skënderbeut dhe figura e tij, do t’u shërbenin shqiptarëve në të gjitha etapat e historisë së tyre për frymëzim e fuqizim, për krenari e bashkim.”, shkruan Kurti.





