Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK) dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për siç ka thënë, heshtjen në lidhje me rastin e dyshuar të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
Kurti përmes një statusi në Facebook ka shkruar se në ditën e tretë pas protestave ku u kërkuar shkarkimi i gjykatësve që kanë dhënë dënime të ulëta për raste të ngjashme dhe të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve, këto dy institucione nuk e kanë thënë asnjë fjalë.
“Sot është dita e tretë, ndërsa KGjK e KPK janë ende në heshtje. Asnjë fjalë lidhur me veprimet që do të ndërmarrin. Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve, e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme. Shoqëria dhe shteti ynë, nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, dy dorëheqje lidhur me rastin deri tani, ajo e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe e drejtorit të Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, nuk mjaftojnë.
“Në Shërbimin Korrektues të Kosovës ka dhënë dorëheqje Drejtori i Drejtoratit për Trajtimin e të Burgosurve dhe të Miturve, si akt moral, pasi që njëri nga të dyshuarit për dhunim ka qenë në mbajtje të dënimit në institucione korrektuese për disa vepra penale. Por, ku është morali i gjyqtarëve e prokurorëve? Aktakuza jo të fuqishme të prokurorëve mundësojnë që dhunuesit shpesh të mos ndëshkohen. Gjykatat nuk i gjykojnë rastet e dhunimeve në përputhje me ligjet në fuqi, që parashohin dënime prej më së paku 10 vitesh për dhunë seksuale ndaj personit nën moshën 14 vjeç. Mijëra qytetarë, të mërkurën, kërkuan shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj për rastet e dhunës seksuale, dhe shkarkim të prokurorëve për neglizhencë ndaj këtyre rasteve”, ka shkruar Kurti.
Pak ditë më parë është bërë publik rasti i dhunimit seksual të 11-vjeçares në Prishtinë, që pretendohet të jetë kryer më 27 gusht, nga pesë të dyshuar, tre prej të cilëve të mitur.
Pesë të dyshuarit tashmë janë arrestuar dhe ndaj tyre është caktuar nga një muaj paraburgim për secilin.
Ky rast ka nxitur reagime të shumta, derisa janë zhvilluar edhe protesta në Prishtinë, Tiranë e Shkup.