Kryeministri Albin Kurti ka fajësuar kryetarët e dy partive opozitare, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike, për dështim në gjetjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e presidentit.
Ai ka thënë se ata “nuk duan as pushtet e as përgjegjësi për veten e tyre”.
“Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata”, ka thënë ai në një adresim në Facebook.
Në shkrimin e tij, Kurti ka thënë se më 28 dhjetor populli foli qartë duke ia dhënë Vetëvendosjes mbi 51 për qind. Ai ka shtuar se bazuar në këtë është obligim i secilit lider të partive të sillet në përputhje me rezultatin.
Kurti ka thënë se shkuarja në zgjedhje të reja për shkak të moszgjedhjes së presidentit janë vetëm humbje kohe dhe humbje e buxhetit.
“Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës së paku 10 milionë euro, mandej për shkak të mungesës së funksionimit të Kuvendit do të humbisnim shumë dhjetëra miliona euro të tjerë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve të sërishme do të mund të ishin pak a shumë të përafërta me ato ekzistuese”, ka thënë Kurti.
Kurti ka paralajmëruar zgjedhje të përsëritura edhe në të ardhmen, duke thënë se Vetëvendosje nuk mund t’i mbërrijë 80 deputetët.
Ai ka komentuar edhe takimet me kryetarët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kurti i ka quajtur gjeneroze propozimet e tij që këto parti të marrin postin e kryeparlamentarit apo për LDK-në edhe poste ministrore në këmbim të votës për president nga VV-ja.
Kurti po ashtu ka thënë se opozita nuk ka propozuar ndonjë emër as publikisht e as në takime me të.
Ai ka shtuar se “pa respektimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë marrëveshje politike”.
“Ndërkaq, qëllimi është të shmangen zgjedhjet e përsëritura dhe të sigurohet stabiliteti institucional. Me rezultatin aktual zgjedhor, asnjë parti opozitare nuk ka numra të mjaftueshëm për të propozuar një kandidat për president pa bashkëpunim ato me njëra-tjetrën. Kësisoj, janë bërë oferta për kompromis ndaj partive opozitare, duke u ofruar pozita të rëndësishme në institucione, me qëllim që të arrihet marrëveshje dhe të shmanget bllokimi institucional. Fatkeqësisht, këto oferta gjeneroze janë refuzuar anipse janë shumë të favorshme në raport me numrin e deputetëve që ka opozita”, ka shtuar Kurti.
Në fund ai ka thënë se kryetarët e PDK-së dhe të LDK-së “po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar”.
“Çdo takim me ta është inicuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja. Krerët e PDK dhe LDK fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata”, ka thënë Kurti në fund.
Nëse Kuvendi nuk zgjedh presidentin deri më 28 prill, Kosova shkon në zgjedhje të reja automatikisht. Ato duhet të organizohen brenda 45 ditësh.