LAJME

Kurti: Kosova e përkushtuar për zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes

Kurti: Kosova e përkushtuar për zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin e plotë të Planit të Rritjes
TV Prizreni
TV Prizreni
17 Prill 2026, 06:11

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas fillimit të transferimit të mjeteve financiare në kuadër të Planit të Rritjes, duke theksuar përkushtimin e institucioneve për zbatimin e reformave dhe shfrytëzimin maksimal të mbështetjes nga Bashkimi Evropian.

Në një deklarim publik, Kurti bëri të ditur se pas ratifikimit të marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian, ka nisur transferimi i parafinancimit në vlerë prej 61.8 milionë euro.

Ai sqaroi se rreth 29 milionë euro janë transferuar si kredi direkte në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër, rreth 33 milionë euro, do të kanalizohet përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), duke përfshirë grante dhe kredi.

Kryeministri theksoi se Kosova mbetet e fokusuar në zbatimin e Agjendës së Reformave, duke e cilësuar këtë proces si një përgjegjësi të përbashkët institucionale.

“Qeveria po ndërmerr të gjitha hapat për përmbushjen me kohë të obligimeve, por kjo është një agjendë që përfshin të gjitha shtyllat e shtetit: ekzekutivin, gjyqësorin dhe kuvendin”, u shpreh ai.

Në fund, Kurti falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen, duke shtuar se institucionet e vendit do të vazhdojnë me hapat e radhës për zbatimin e plotë të këtij plani.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika