Kryeministri ne detyrë Albin Kurti ka reaguar një ditë pas aksionit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit në të cilin u arrestuan 109 komisionerë të partive të ndryshme politike në lidhje me manipulim të votave.
Kurti tha se ata që patën gisht në manipulime me vota nuk kanë amnisti.
‘’Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund’’- ka shkruar Kurti në Facebook.
Tutje ai tha se partia që drejton ai, LVV ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë.
‘’Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore. Adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshem për integritetin e procesit’’- shkruan tutje Kurti.
Kryeministri në detyrë shton se vota e vullneti i qytetarëve duke të garantohet deri në fund.
‘’Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen’’- ka shkruar kryeministri në detyrë Kurti.
