Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në vizitë, shefin e delegacionit të Partisë Socialdemokrate të Austrisë (SPO) në Parlamentin Evropian, Andreas Schieder.
Siç është bërë e ditur përmes një komunikate për media, Kurti e ka njoftuar eurodeputetin Schieder për vizitën e tij në Bruksel dhe takimet që pati atje. Ai ka folur edhe për prioritetet e qeverisë së re dhe fillimin e procesit të reformave.
Bëhet e ditur se eurodeputeti Schieder ka konfirmuar mbështetjen për prioritetet e qeverisë, veçanërisht për reformat ekonomike dhe sociale, si dhe luftën kundër korrupsionit.
“Kurti dhe eurodeputeti Schieder biseduan edhe për bashkëpunimin rajonal dhe agjendën evropiane, duke vlerësuar rolin proaktiv dhe avokues të Parlamentit Evropian, në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e BE-së për përballimin e pandemisë COVID-19. Në takim mori pjesë edhe Eva Elleriet, drejtoreshë e Friedrich-Ebert-Stiftung (FES), me të cilën u bisedua për thellimin e bashkëpunimit të suksesshëm”, thuhet në njoftim.