Kryeministri Albin Kurti, është takuar me kancelarin e Austrisë, Alexander Schallenberg, me të cilin ka zhvilluar takim bilateral.
Ziç njofton Zyra e Kryeministrit, në rezidencën e Kancelarisë Federale të Austrisë, Kurti i ka folur homologut të tij për “ringjalljen dhe rritjen e pashembullt ekonomike që po e përjeton Kosova që nga paslufta”.
“Kryeministri Kurti e uroi kancelarin Schallenberg për detyrën dhe përgjegjësinë e re si Kancelar dhe theksoi gatishmërinë e tij dhe të Republikës së Kosovës për të vazhduar raportet tejet të mira me Austrinë. Ai foli për ringjalljen dhe rritjen e pashembullt ekonomike që po e përjeton Kosova që nga paslufta, e që këtë vit parashihet të jetë 9,9 për qind, dhe për angazhimin e qeverisë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kryeministri Kurti e njoftoi Kancelarin Schallenberg edhe për rritjen e shënuar në investimet e huaja direkte të cilat këtë vit janë 89 për qind më të mëdha sesa mesatarja e tyre gjatë dekadës së fundit dhe më të lartat që nga shpallja e pavarësisë”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.





