Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit në Samitin e Prespës, e ka shprehur zhgënjimin ndaj Bashkimit Evropian për mosliberalizimin e vizave për Kosovën. Kurti theksoi se është i zhgënjyer edhe me vendimin e BE-së për moshapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Ai konsideroi se Bashkimi Evropian është i ngadaltë në procese dhe se i mungon uniteti.
“Republika e Kosovës e ndan zhgënjimin me vendimin e BE-së për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Si vend që na është mohuar liberalizimin i vizave e kuptojmë zhgënjimin tuaj. BE-ja është e ngadaltë, i mungon uniteti, por megjithatë është shpresa jonë më e mirë dhe alternativa e vetme që e kemi. Ne i takojmë këtij rajoni. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe jemi shtete fqinje të shteteve të BE-së”, ka thënë Kurti sot në Samitin e Prespës.
Kurti theksoi se vendet e Ballkanit Perëndimore duhet të punojnë që të bëhen anëtarë të BE-së. E sipas tij kjo mund arritet vetëm nëse vendet e Ballkanit e pranojnë të vërtetën historike dhe realitetin.
“Në vend që të të vazhdojmë të ndihemi për frustruar me vendimet e BE-së duhet ta pyesim veten se çfarë duhet të bëjmë ne për të arritur aty. Nëse shohim brenda nesh e shohim se kemi shumë probleme. Ekziston lufta me pushtet autoritare dhe kundër monopoleve kriminale dhe kundër thyerjes së shtetit të së drejtës,, mos pranimi i të vërtetës historike dhe aktrimi se mund të ndërtojmë shoqëri demokratike në mes të kombeve tona vetëm duke e mohuar se çfarë ka ndodhur dhe duke u munduar që ta ndryshojmë realitetin”, deklaroi Kurti.
Kryeministri kosovar insistoi se vendet e rajonit duhet t’i kryejnë siç tha ai “detyrat e shtëpisë”, për t’u integruar në BE.
“Një pjesë e madhe e përgjegjësisë qëndron tek BE, por edhe ne duhet që t’i kryejmë detyrat e shtëpisë. Edhe ideja e Novi Sadit për ‘Mini Schengenin’, një iniciativë që nuk ka vizion për rajonin, dhe që Republika e Kosovës e kundërshton ashpër, si e tillë duhet të flaket tutje. Pakënaqësia me BE-në nuk duhet të instrumentalizohet nga vendet që nuk e duan NATO-në dhe që e favorizojnë Rusinë”, ka thënë ai.