Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka vizituar Inspektoratin Policor të Kosovës, ku ka vlerësuar rolin e këtij institucioni në forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet e sigurisë.
Gjatë fjalës së tij, Kurti ka thënë se vitet e fundit IPK-ja ka rritur efikasitetin në trajtimin e ankesave të qytetarëve dhe është shndërruar në një adresë të besueshme për raportimin e shqetësimeve ndaj veprimeve të Policisë së Kosovës.
“Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë dhe një shtet më i drejtë do të thotë më shumë besim për qytetarët”, ka deklarur ai.
Sipas njoftimit zyrtar të Zyrës së Kryeministrit, në takim ka marrë pjesë edhe ministri në detyrë i Mbrojtjes, Xhelal Sveçla.
Kurti ka theksuar se IPK-ja ka zgjeruar praninë institucionale në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë katër komunat në veri, duke rritur qasjen dhe barazinë institucionale për qytetarët.
Ai ka përmendur edhe operacionet “Pika” dhe “Pika 2”, përmes të cilave janë hetuar dhe ndëshkuar dhjetëra zyrtarë policorë të përfshirë në raste korrupsioni dhe keqpërdorimi të detyrës zyrtare.
Sipas kryeministrit në detyrë, Qeveria e Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për IPK-në në fuqizimin profesional, modernizimin teknologjik dhe garantimin e pavarësisë funksionale të institucionit.
Në fund të adresimit të tij, Kurti ka vlerësuar punën e zyrtarëve të IPK-së, duke theksuar se integriteti institucional mbetet standard i domosdoshëm për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.





