Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, takuan Bordin e Drejtorëve të KEK-ut.
Në njoftimin e Zyrës së kryeministrit të hënën, u tha se tema të takimit ishin rëndësia e punës së KEK-ut dhe sfidat e ndërmarrjes, veçanërisht në krizën energjetike.
Infrastruktura dhe teknologjia e vjetër e termocentraleve u tha se janë sfidat kryesore.
“Përkundër kësaj, Bordi i Drejtorëve e njoftoi kryeministrin Kurti rreth masave dhe përgatitjeve, që KEK-u ka bërë për periudhën e dimrit. Kryeministri Kurti falënderoi Bordin për punën e deritanishme. Ai tha se ky dimër, përballë krizës globale energjetike, do të varet shumë nga optimizimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike të vendit dhe racionalizimi i shpenzimit të energjisë elektrike nga ana e institucioneve publike, qytetarëve dhe bizneseve. Duhen të dyja, që ky dimër të tejkalohet më lehtë”, thuhet në njoftim.