Marrëdhëniet e mira bilaterale mes Kosovës, Finlandës dhe Irlandës, vlerat e përbashkëta si dhe rëndësia e unitetit dhe solidaritetit mes shteteve në Evropë, u theksuan në takimin e sotëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me delegacionet nga shtetet e Finlandës dhe Irlandës, të kryesuara nga Ministrja e Finlandës për Çështje Evropiane dhe Drejtimin e Pronësisë, Tytti Tuppurainen dhe Ministri i Shtetit për Çështjet Evropiane të Irlandës, Thomas Byrne.
“Në hapje të takimit, Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme të Irlandës dhe Finlandës në të gjitha fazat e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, e veçanërisht për mbështetjen e Kosovës në proceset e integrimit evropian. Kryeministri i falënderoi për përkrahjen për procesin e liberalizimit të vizave, anëtarësimin në Këshillin e Evropës, si edhe në organizatat e tjera ndërkombëtare”, njofton Zyra e kryeministrit.
Sipas njoftimit ministrja Tuppurainen dhe ministri Byrne ritheksuan mbështetjen e plotë të Finlandës dhe Irlandës për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës. Ministrja Tuppurainen shprehu mbështetjen për liberalizimin e vizave, anëtarësimin në Këshill të Evropës dhe në BE.





