Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në një takim zyrtar Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan zhvillimet e fundit në vend dhe procesin e dialogut me Serbinë, raporton Gazeta Sinjali.
Kurti e uroi Sørensen për pozitën e tij të re dhe e informoi për hapat drejt formimit të institucioneve të legjislaturës së 9-të të Kosovës.
Në këtë takim një ndër kërkesat më kryesore ishte që Bashkimi Evropian të heqë menjëherë masat kufizuese ndaj Kosovës, duke theksuar kontradiktën e pashëndetshme për BE-në, vlerat themelore të saj dhe për reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me mbështetje të madhe të qytetarëve, që në të njëjtën periudhë kur vendi shënon ngritjen më të madhe demokratike, edhe sipas indekseve ndërkombëtare, të jetë njëkohësisht nën masa kufizuese të BE-së.
Kurti diskutoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit, duke kërkuar një angazhim të BE-së për këtë proces.